2008-03-28

Letër e pa dërguar...

Heshtja ime tretur në meditimin tënd
në paqartësinë tënde, sytë e mi
drita e shikimit kredhur, e humbur
në dallgët e të pathënave, valët
përplasen, bien mbi shkëmb
e mbeten, të pa vdekura fjalët

Heshtja ime tretur në ikjet,
pa kohë, pa adresë, pa shkak
Mes kujtimesh të mbaja
Arratisjet tua s`ishin mungesë
Veç largime të përkohshme
Net të gjata bashkëshortësh që
mpiksin foshnjat e dyshimeve

Heshtja ime tretur në dyshime
Në fjalët, prekjet tua, betimet
që dyshimet mi vrasin përkohësisht
ringjallet heshtja ime në dyshime
mashtrimet thërrasin barbarisht

Heshtja ime tretur në arratisjen
E pritshme
Prej viseve tua, prej relievit
Shkëmbor që kisha dashur
Të pathënat, rikthime të paqena

Heshtja ime në origjinë ku më ra koka
Mes gardheve të mosveprimit
Në një rajon të largët, malor
Heshtja ime tretur në një letër
të gjatë, idiote, vrastare
Objekti: Urrejtje pa fund, mall pa limite
Adresa: Mosqenia e saj
Dërguar: Asnjëherë...

...T.Sokolaj, 2008

2008-03-23

"Mos na gërric shumë..."

Së bashku me një kolegun tim, ndodhesha diku në brendësi të fshatit Gërdec, atje ku më tepër se një javë më parë, ndodhi shpërthimi i një fabrike demontimi municionesh luftarake që shkaktoi tragjedinë më të madhe të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Isha zgjuar në mëngjes me idenë se kjo është një ditë e diel, kur në Tiranë nuk ka shumë aktivitete, me idenë se kaloi një javë nga tragjedia e Gërdecit, dhe, se tani ja vlente të shkoje edhe njëherë atje, për të parë më ftohtë pasojat e asaj që ka ndodhur. Po ecnim në një rrugicë të fshatit, ishim nisur drejt zonës ku ndodhej krateri i shpërthimit, kur një makinë e policisë ushtarake, u shfaq në fund të rrugicës. Prej saj zbritën dy efektiva të policisë ushtarake. Vërshëlluan prej larg ndërsa u nisën me vrap drejt nesh. “Kjo është zonë e ndaluar”, thanë duke na zënë rrugën e më pas duke na thënë se “duhet të ktheheni, kemi urdhër të mos ju lejojmë”. I kërkova një urdhër, policit që në moshë dukej më i madh, i thashë dua ta shikoj atë urdhër zotëri. Hajde të shkojmë tek komandanti tha, është atje poshtë, tek postblloku. Epo mirë i thashë, shkojmë. Në fund të rrugicës, ndodhej po aty ku kishte ndaluar më parë, makina e policisë ushtarake. Njëri nga efektivat hapi derën dhe na ftoi në makinë. Jo zotëri i thashë, unë do të eci në këmbë, dua të shikoj fshatin, nëse mundeni më shoqëroni deri tek komandanti juaj, unë nuk jam kriminel dhe as keqbërës që të më ndaloni, të më shoqëroni me makinë. Kjo ndjesi me nervozoi pak. U thashë se do të ishte mirë sikur të merreshin me banorët e zonës që kanë nevojë për ndihmë dhe të mos harxhonin kohë me gazetarët. Ky natyrisht nuk ishte një incident. Unë nuk e konsideroj të tillë, por pas kësaj që u thashë dy policëve, njëri prej tyre mu kthye duke më thënë “ec ore, mos na gërric shumë”. Ndalova. Iu afrova dhe i kapa uniformën ushtarake në krahun e majtë. “Zotëri i thashë, respektoje këtë uniformë që ke veshur, unë nuk po kërkoj të më respektosh. Ky që përdor ti, nuk mundet të jetë kurrë, fjalor i një ushtaraku që ka vend në NATO”. U step por nuk kisha dëshirë të vazhdoja më tej. U pendova që ia thashë tani këto fjalë, sepse në fakt kisha menduar tja thosha në sy të Komandantit. Fillova ecjen dhe pashë se po afroheshim tek qendra e Komandës. I pyeta ku ndodhej Komandanti. Njëri nga policët më tha se ai ishte lart në zonë. Sa mund të vonohet zotëri. Nuk e di më tha. Unë nuk kam kohë të pres këtu me orë i thashë, por ai si duket nuk e kishte mendjen. Ia përsërita dhe mu kthye gjithë ironi: Përse zotëri doni të hyni në atë zonë, përse doni të filmoni?. E sqarova duke i thënë se unë nuk dua të filmoj, dua të flas me njerëzit, ti pyes. “Kush ti pyesë, ti?, mu përgjigj. Po unë i thashë do ti pyes, kam dëshirë të shkruaj për ata dhe jo për ju. Në këtë kohë mbërriti komandanti, i cili nuk kishte qenë aty. Policët e tij më kishin gënjyer kur më thanë hajde se na pret komandanti poshtë. Ai erdhi pasi kisha pritur rreth 35 minuta. U zemërua me një kolegun tim, u tha ushtarëve se kishin bërë shumë mirë që ishin sjellë në atë mënyrë me të, dhe harroi fare që unë, i kisha bërë një telefonatë dhe i kisha thënë se po prisja një konfirmim nga ai për të hyrë në zonë. Kaloi kufizimin e zonës ushtarake dhe po ecte. I thirra disa herë por nuk ktheu kokën. E telefonova kur kishte hyrë brenda çadrave ushtarake dhe i thashë se të paktën duhej të komunikonte me mua. Përfundimisht unë hyra në zonë dhe mbarova çfarë kisha për të bërë. Ky episod mu fiksua keq në mendje, parë në dritën e një diskutimi që kam pasur këtu e muaj të shkuar me një Komandant të Forcave Speciale Gjermane. E pata takuar në repartin RENEA. “Problemi kryesor i Shqipërisë është reformimi. Unë nuk e di çfarë nënkuptojnë politikanët tuaj me reforma, por unë flas për reformimin e njeriut. Ju keni policë të mirë, ata kanë vullnet dhe aftësi, por më vjen keq kur i shikoj që vijnë në punë sa për të qenë, nuk kanë asnjë ide dhe nuk kërkojnë asgjë më shumë nga vetja. Nuk përpiqen çdo ditë ti japin një kuptim asaj që bëjnë, nuk mundohen të gjejnë forma për tu përmirësuar gradualisht”. Ngjarja e mësipërme dhe dialogu me efektivin gjerman mu kujtuan ndërsa po mendoja edhe unë si shumëkush në këtë vend: A do të ketë ndikim ngjarja e Gërdecit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO? Pa dyshim që do të ketë ndikimin e saj, por gjithsesi, Shqipëria hyn në NATO atëherë kur ta meritojë. Atëherë kur ushtarët e saj, të paktën në kohën kur kanë uniformën mbi trup, të lënë mënjanë fjalorin prej gangsteri, atë sjelljen prej rrugaçi dhe zyrtari që bën insinuata personale ndaj shtetasve të këtij vendi. Edhe nëse Shqipëria nuk hyn në NATO, për shqiptarët do të jetë një fitore e madhe nëse reformohen këta njerëz, nëse policia ushtarake, apo çdo efektiv i ushtrisë, e konsideron vetën në shërbim të qytetarit dhe partner të denjë e të besueshëm të tij. Unë kam qenë i ftuar në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s, kam qenë edhe në Komandën e Operacioneve në Mons, një qytet thuajse tërësisht ushtarak në Belgjikë. Aty kam pasur rastin të komunikoj me ushtarakë të ndryshëm gjatë qëndrimit disaditor. Nuk më vjen aspak mirë, që ushtarakët grekë, italianë, francezë apo polonezë, u sollën dhe komunikuan me mua në një mënyrë shumë më zyrtare, njerëzore dhe korrekte, sesa ushtarakët e vendit tim, Shqipërisë, të cilët doja të doja me gjithë shpirt, që një ditë të silleshin, të shërbenin dhe të komunikonin me qytetarët si ata, ushtarakët e NATO-s.

2008-03-17

Zemra ndalon rrahjet...!


Shume prej tyre, nuk jane mes nesh. Nuk mundem ti percjellim as ne banesen e fundit, jo se nuk deshem, por sepse nuk mundem. Gjithcka u tret, u shua ne gjuhet e tmerrshme te flakeve dhe nen germadhat e shperthimit te madh. Katastrofa nuk beri perjashtim as kete here, ajo erdhi ashtu, misterioze e papritur, por jo e pa paralajmeruar. Ajo ndodhej aty, fare prane nesh, atje ku dikush tentonte barbarisht fitimin maksimal dhe pasurimin ne kohe te shkurter permes mungeses se kontrollit, pergjegjesise dhe permes mundit te atyre qe iken, atyre qe s`jane me, atyre te cilet rrezikuan aq shume, per nje jete me te mire, te cilen nuk munden ta jetojne dot!

2008-03-14

Dita e Verës, festë jo vetëm në Tiranë...



Ne Tirane dhe ne Elbasan u zhvilluan sot festime me rastin e Dites se Veres. Ne fakt mengjesi mberriti me nje diell te shndritshem dhe te ngrtohte, ndersa te gjithe tentonin qendren e Tiranes. Aty ku ne fakt nuk kishe ku te qendroje nga njerezit e shumte dhe kaosi qe shoqeron zakonisht grumbullimet publike. Ne anet e rrugeve shitej ne tezga embelsira tradicionale e Festes, Ballokumja, ndersa ne Bulevardin kryesor te Tiranes ishte organizuar nje koncert festiv ku interpretuan disa kengetare shqiptare. Vemendja kryesore ne fakt, ishte perqendruar ne Elbasan, atje ku te gjithe pranojne se tradita ka percaktuar qendren e kesaj feste. Kryeministri Berisha deklaroi se kishte refuzuar nje takim me aleatet e tij ne Qeveri pasi qe me pare ne axhenden e tij te dites se sotme, ishte parashikuar pjesemarrja ne ceremonine festive dhe aktivitetet e organizuara ne Elbasan me rastin e Dites se Veres.

2008-03-12

Dita u err
Netët sterrë
Kjo kohë pa ty...
Ç`tmerr

........

Të kam harruar
Ta dish!
Pas çdo kujtimi më tepër
tretesh në kujtesë
100-fish
Memorja ime e verbër

pas çdo kujtimi më pak gjëra
në mëndje mbërrijnë nga ti
ditë-netët skalitur, rrahur

barbare era
rrëmbejnë kujtime,
humnera
të gjitha varrosur në sy

Është tretur parfumi brilant
Edhe flokët e tu u tretën
Në kohë të paqena, imazhi
ka mbetur,
boshllëku gjigand,
dhe harrimi,
humbi kujtesën


Hiret tua si një parajsë
S`më shfaqen çdo natë
Çdo muzg
Si atëherë kur rendja,
i marrë
Ti lëroja, si arën një bujk

...................T.Sokolaj

2008-03-08

Këtu s'do jem...

Këtu s'do jem do jem larguar
Ne toke i tretur si te tjerët
Ne kafenenë e preferuar
Nuk do me shohin kamerieret

Dhe neper udhët ku kam ecur
S'do ndihet kolla ime e thate
Mbi varrin tim do te rrije i heshtur
Një qiparis si murg i ngrate


Ti do trishtohesh atëherë
Se s'do me kesh ne dhome te gjalle
Dhe kur ne xham te fryje ere
Do qash me erën dalëngadalë

Por kur te jesh mërzitur shume
Ne raft te librave kërkomë
Aty do jem i fshehur unë
Ne ndonjë fjale a ndonjë shkronje

Mjafton qe librin pak ta heqësh
Dhe un do te zbres do t'vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshesh
Si një blerim pas një rrekeje.

“Secili ka një histori të tij me këtë poezi të përkryer të poetit dhe shkrimtarit të madh shqiptar Dritëro Agolli. Dikush e ka sjellë ndërmend në ditët apo netët pas një dashurie të humbur. Të tjerë e kanë kujtuar apo recituar në mendje në prag të fundit të një dashurie apo në mesin e lumtur të saj. Mua më ndodhi që për herë të parë, ta dëgjoja të recituar nga Ajo, që kisha dashur shumë, e që në fakt recitonte bukur, me shpirt, me talent, mbase ngaqë shkruante edhe ajo, apo mbase ngaqë ashtu më dukej mua. Nuk e kisha lexuar më parë këtë poezi, e dëgjova për herë të parë atë ditë, ishte dimër...kam vrapuar të blej vëllimin ku ndodhet “Këtu s`do jem” dhe që atëherë e mbaj në shtëpi. Përfundimisht kjo poezi e Agollit, është një nga ato gjërat (e pakta) që më ka bërë edhe njëherë të mendoj se bota nuk është aq e shëmtuar sa duket ndonjëherë, ka plot gjëra të bukura, mjafton ti kërkosh apo të kesh fatin ti njohësh. Poezia vërtet flet për ndarje, braktisje, divorc, për një fund të vërtetë, për një arratisje pa kthim, por është e bukur...shumë e bukur!

2008-03-06

Leht u qoftë mbi varr lëndina...

Foto: Arben Celi/ REUTERS
(Nje nga te afermit e viktimave)


16 jetë njerëzish u shuan ndërsa tre persona mbijetuan, mesnatën e kaluar në liqenin e Farkës, 10 kilometra në periferi të Tiranës. Viktimat mes të cilëve ishin gjashtë gra dhe dy fëmijë binjakë në moshën 3 vjec, i përkisnin tri familjeve. Ata festuan një ditëlindje në një restorant në bregun tjetër të liqenit ndërsa humbën jetën kur barka me të cilën po lundronin në kthim, u përmbys. Policia e cila u lajmërua për ngjarjen rreth orës 00:05 të së enjtes, tha se shkak i tragjedisë ishte mbipesha në barkën ku ndodheshin 19 persona ndërkohë që kapaciteti i saj mbajtës ishte vetëm shtatë vende. Bashkë me viktimat ndodhej edhe drejtuesi i varkës, i cili kishte kërkuar qëndrimin e të gjithë personave në mjetin e vogël lundrues. Dita e sotme, 6 mars 2008 u shpall ditë zie kombëtare, flamuri në institucionet shtetërore u ul në gjysmë-shtizë ndërsa Parlamenti anuloi seancën e parashikuar. Ngjarja ndaloi frymën e të gjithë shqiptarëve që në orët e mëngjesit.

2008-03-04

I thuaj jo...

Dhe vrapova nëpër natë
Në qytetin e panjohur ty të kërkoja
I humbur mes gëzimit, mallit të pafund
Me një adresë në duar

Dhe yjet përgjonin pas mjegullës të fshehur
Me marramëndje ndjenjash, jetë të dehur
Nata e ftohtë, sinjalet misterioze
Nën taka prostitutash, pasione zbulon ti

Pemët e lagura anës trotuareve
...spektatorë të trishtuar
Heshtur vështrojnë skena dashurie
…në errësirë e konsumuar

Dhe më frikësoi nata e këtij qyteti
Kjo gjysmë jete, jeta e një planeti
Një siluetë shfaqet si hije
Shkujdesur jetonte një çast dashurie

Atje, dy drita krejt pa pritur ndizen
E pamundur, zë i njohur, qeshje e njohur
Ishe ti...

(refren)
I thuaj jo, të paktën vetëm sonte
...i thuaj jo
Po ti më bën të trembem
Të ulërij të çmendem
Harroje veten tënde dhe mos shko
Me të mos shko

Dhe mjegulla të lutet: I thuaj jo
Po ti me natën tretesh
Jehonë e zërit mbetesh
Rend mbas teje të t'ndaloj
Do doja të ishte ëndërr
Sikur të ishte ëndërr
----------------

Atje një dritë shprese fiket
E pamundur, zë i njohur, qeshje e njohur,
Ishe ti…

(Refreni)
I thuaj jo, të paktën vetëm sonte
...i thuaj jo
Po ti më bën të trembem
Të ulërij të çmendem
Harroje veten tënde dhe mos shko
Mos shko
Dhe era ulëret : I thuaj jo
Po ti me natën tretesh
Jehonë e zërit mbetesh
Rend mbas teje të t'ndalojë

Dhe mjegulla të lutet: I thuaj jo
Por ti me natën tretesh
Jehonë e zërit mbetesh
Rend pas teje të t'ndalojë
I thuaj jo...


"Eshte nje tekst i arrire i shkruar nga Jorgo Papingji, (saktesimi me ndihmen e Kapiten) dhe nje kenge e interpretuar perfekt nga Ardit Gjebrea"...

2008-03-02

Det i trazuar...



Me duket se ka dicka te ngjashme ne mos te perbashket, ne trazimin e detit dhe njeriut. Ashtu si te njeriu edhe te deti, trazimi qe duket ne siperfaqe permes valeve, fjaleve, zhurmave, mermeritjeve, relievit dhe mimikave eshte akoma me i madh se brendshmi, ku pesha e ujit dhe e mendimeve, ne rastin e njeriut, godet, perplaset, rendon, dhemb...isha aty ne breg, dhe nuk e di perse, ne nje dite me ere dhe me re, deti dhe une ishim ne nje rezonance ne trazimin tone... Mbase deti eshte e vetmja figure dhe i vetmi fenomen i natyres qe materializon sadopak idene e trazimit. Ka edhe dicka te ngjashme ne trazim mes detit dhe njeriut. Ne nje dite te bukur e te qete me diell, trazimi humbet krejt e zevendesohet me kuriozitetin per bukurite e kohes, dashurine per to, deshiren per te tashmen dhe idene per te harruar te shkuaren, ate diten e trazimit me re gjysme te erreta, qe dukej sikur s`kishte fund asnjehere!

2008-03-01

Një kafe në Durrës...








Nese ka ndonje gje qe une i pelqej Tiranes, eshte fakti se ka fare afer Durresin. Une kur largohem nga Tirana me duket sikur marr fryme lirisht, ndaj sot vendosa qe kafen e mengjesit ta pija ne Durres. Kisha gati dy muaj qe nuk e kisha "takuar" dhe me kishte marre malli per Detin. Adhuroj qe kafen e mengjesit, shoqeruar me cigare, ta pi ne bregun ku perplasen e zhurmojne baticat dhe zbaticat. Jam dakord me ata qe mendojne se Durresi nuk eshte aq mire, se ka ndotje etj etj etj, por me besoni, eshte me mire sesa ne Tirane.


2008-02-29

Pranvera me një lule s`vjen...

Unë i vogël n'ato vite,
Mbi barin që ndriste nën vesë.
Në prag pranvere, një lule gjeta,
Erdhi Pranvera thirra menjëherë.

Buzëqeshi motra ime,
Sa desha t'i thur një kurorë.
Me kot vrapova edhe kërkova,
Të tjera lule jo, nuk gjeta dot.

Një pike vese mbi faqe ra.
O motër, unë lulet ku ti gjej?
Ajo e dinte 'ndaj më tha
Pranvera me një lule jo nuk vjen.

Si lëndinë mbet' fëmijëria,
Por fjalët e saj jo s'i harroj.
Sot me thotë koha dhe vetë rinia
Më e bukur jeta behet me shume shoke

refren
Një pike vesë mbi faqe rra.
O motër, unë lulet ku t' gjej?
Ajo e dinte 'ndaj me tha
Pranvera me një lule jo nuk vjen.

Kështu dhe jetën se bëmë një ditë
Një lumë i vetëm se bëmë një det
Kishe të drejtë o motër the
Pranvera me një lule s`vjen


"Kisha kohe qe e kerkoja tekstin e kesaj kenge, i shkruar nga Prec Zogaj dhe fillimisht i interpretuar nga Frederik Ndoci dhe me pas nga Aleksander Gjoka, tek "100 Kenget e Shekullit". Si poezi por edhe si kenge, mendoj se eshte nje nga vlerat e padiskutueshme te artit shqiptar..."

2008-02-28

E ka fajin lapsi:)

Dhuratë nga belle fleur, faleminderit se kam dhe ditëlindjen!

1 . Cingarosesh ? – Po, do ndezësh një ti?
2. Ke puthur njeri dy javët e fundit ? – Doja ta puthja por është larg
3. Kush qe personi i fundit që të erdh për vizitë? – Askush, i urrej vizitat
4. Të ka marrë malli për njeri? – Po shumë...
5. Me kë do të luftosh? – Me të gjithë thashethemxhinjtë
6.Të pëlqen njeri? – Jo fare, më urrejnë
7.Kënga që po dëgjon? – “O moj ti me sy të zi”, S.Bejleri, Këngët e Shekullit
8.Ç’do bësh nesër? – Namin do bëj, kam ditëlindjen ene do festoj
9.Ke parë tofu? – S`më kujtohet
10.Ke ngrënë ndonjëherë? – Na mërzite me pyetje për të njëjtën gjë
11.Do të kthehesh në shkollë të mesme? – Jo vetëm
12.E ke parë filmin e Britnit? – Nasni mnyr...
13.Ç’bëre dje?- Dhurova lule të cilat nuk e di nëse i kanë marrë
14.Me kë vozite herën e fundit ? – Me shoferin, po ikja në shpi
15.Je i lodhur?- Në shtëpinë e të varurit, s`përmendet litari
16.Me kë ishe sot? – Me rob që jam i detyruar të rri, nga puna
17.Ku e ke mëmën? – Në shtëpi, me babin
18.Ç’ngjyrë i ke çorapet? – Të zeza
19. Ç’ngjyrë e ke bluzën? – Kam veshur këmishë
20.Cili është vëndi më i bukur ku ke qenë? – Vlora ene Pogradeci
21.A mendon se Barbi është një model negativ për vajzat e vogla? – Barbin e kam përmend vetëm për të përkëdhelur vajzat e bukra, ka kohë që nuk e bëj më...
22.Sa kohë të duhet për t’u bërë gati për të dalë? – Lëmë një takim dhe do ta mësosh
23.Ka anije familja jote? – Po, kanë ca anije letre që i kam bërë unë kur isha çilimi
24.E ke puthur ndonjëherë macen tënde?- S`kam mace fare
25.Ku ishe më 11.09? – Rrugëve
26.Përshkruaj kompjuterin ku je duke punuar. – Monitori Samsung, mouse HP, CPU-ja IBM dhe tastiera gjithashtu
27.Ke dalë ndonjëherë nga USA? – Nuk kam pasur fatin të hyj
28. SMS-i fundit që more? – Raporti që konfirmon mbërritjen e sms që dërgova unë
29.Të ka rënë ndonjëherë në kokë për ndonjë mësuese? – S`më lanë shoqet e klasës
30.A thua ndonjë dëshirë në 11:11? – S`kam fiksim me oraret
31.Lente apo syze? – Hiç fare.
32.Pushimet e ardhshme? – Në Vlorë!
33.I bie ndonjë vegle? – Tentoj gjithmonë, pastaj tërhiqem nga zhumat e çrregullta
34.Ke ndonjë vëth gjëkundi? – I kam inat
35.Personi i fundit që përqafove? – Ajo
36.Ç’bëre 24 orët e fundit? – Përgjigja do të qe e mërzitshme, e lëmë farë?
37.Kush të ka nevrikosur sot? – Ajo
38.A shkarkon muzikë? – Po, nga CD
39.Ka kënduar njeri për ty? – Po, Media Player-i këndon ç`të dua
40.A dashuron njeri? – Mos bëj pyetje personale
41.Ke kërcyer ndonjëherë si kangur? – Tashiii e ke tepru
42.Ke pasur ndonjë antfarm? – S`po kuptoj
43.Të duket se të duan njerëzia? – Nuk më duket
44.Ku është vendi më i çuditshëm ku ke fjetur? – Në sallën e konferencave

2008-02-26

Harrim i paplotë...

Nëse ndodh ndonjëherë që malli për mua
Të ta mundojë shpirtin e kujtesën ta ngjall
Harromë, braktismë siç ikën një përrua
Më rënkime dhe lë pas gjithçka në mal

Se kjo e tëra qe nje kujtesë për tu harruar
Në ditët e tua imazhi im është i panevojshëm
Pra fshij dhe mbrëmjet me diellin pa perënduar
Ato mbrëmje kur para mesnate ikja, i përzënë
si dështak i përmotshëm

Më mirë harromë se të më gënjesh me lotë
Mashtrimet, unë s`kam dëshirë, s`mund ti fal
Harromë dhe kridhu në jetën e qytetit të paplotë
Unë do iki të zhdukem, të humbas diku në mal

Harromë, harromë, s`ke shkak të më kujtosh
Tani edhe unë kam dëshirë të harroj
Duhet ti tres në kujtesë bisedat tona bosh
Ti braktis ato imazhe mbrëmjesh, njësoj

Nuk ke asnjë shkak të më kërkosh
Kur ishim pranë dora jote nuk u zgjat
Ndaj përkëdhëlive, reagoje kokëposhtë
Ja pra tani, gjithçka është si më parë

Unë gjithëherë kam besuar se një ditë
Ngjarjet kthehen mbrapsht, njerëzit po ashtu
E gjitha ndodh kur shkaqet dhe rastësitë
Piqen bashkë në qiej, orbita, a në planete
A ndoshta në gjunjtë e tu....
T.Sokolaj, 08

2008-02-21

Vargje per lirine dhe bylbylin, nga Ndre Mjeda...

Liria

O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n'ato maja;
mbi bjeshk' t'thepisuna e n'ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndikund,kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni!

"Lirim, lirim!" -- bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t'mjerin e mblon anemban' robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,

e vështroje ku i del lirimit ama.

Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.

E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll' për kasoll' rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah,
hija e Skanderbegut.

Që ndër djepa rritin nanat e Hotit
djelmënin' ushtore e idhnim n'armikun
nëpër gji iu qitin.
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.


Vaji i bylbylit

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.

Gjith; fushët e malet
Blerim e mbuloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.

Ndër pyje e orgaja,
N'ma t'mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith'kend.

E tuj gjimue
Shikon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çil kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.

Kerkush ma hovin
Atje s'ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s'ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t'rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith'prendverën
Njajo buk t'del.

E kur t'zitë e di
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.

Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si'i nieri
Qi nuk ka fis

E ur t'vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Nder pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Nder tranfofille,
Nder zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen,
Pse po gjimon?

"Ne fillim ishte dialekti ai qe me ka terhequr vemendjen tek poezite e Ndre Mjedes. Me dukej sikur vargjet e tij merrnin force shprehese prej dialektit, por me pas, kuptova se ne fakt forca shprehese e Mjedes, ishte tek rimat, figurat, stili, fenomenet, origjinaliteti dhe thjeshtesia, te gjitha bashke me shume te tjera, mjete te mjeshterise letrare. Mjeden e prefesoj edhe per nje shkak tjeter: me pelqen shqiptarizma qe paraqitet ne poezite e tij..."


2008-02-20

Dy poezi nga Azem Shkreli...

KATER KESHILLA VETES

Mos u bëj poet nëse s'mund të lindësh
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.

Ngrehu mbi veten në dot t'rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat
e gjakut tënd.

N'se dashurohesh, dashurohu n'flakë e n'valë,
jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

Mos u bëj poet nëse s'mund të vdesësh
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

PARA ELEGJISE

Një ditë do t'i marrësh në gji
gjethet e rëna të stinëve të tua
dhe do të kërkosh kot veten
shtigjeve të harruara të një moshe
e nuk do të kesh më as flokë ere,
as shikim ylberi ta matësh fillin
dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.
Një ditë do t'i shpalosh vjetët tua
si pajën e nuses së vdekur
e do të numrosh fluturat e shkuara
t'agsholeve t'prenduara
e s'do të kesh më as zjarr në buzë,
as lot në sy të qeshën ngrohtë,
të qajsh rrejshëm dhe t'i mahnitësh
djelmoshat.

Një ditë dot'i hash buzët e tua,
gjurmët e tua do t'i pështysh
dhe secilin muzg do ta pagëzosh
me nganjë pendim që dhemb
e s'do te kesh me as sy deti,
as hap te hedhur sorkadheje
te shohesh si t'perqeshin gonxhet
dhe te ikesh prej hijes sate.

Ruaju, moj se vashat me te bukura
i vret bukuria e vet.


"Maratonomaku i Nolit na solli nje lajm te mire edhe tani ne vitin 2008, Pavaresine e shumepritur te Kosoves. Tani qe syte jane ende te drejtuar kah Kosova, prej andej, me erdhi ne mendje Azem Shkreli. Me lart solla dy prej poezive te tij te cilat personalisht i vleresoj nder te bukurat e letersise dhe poetikes shqipe..."



2008-02-18

Moj Kosovë mirë se të gjeta!

Moj Kosovë mirë se të gjeta
Shumë prita, sa e gjithë jeta
Shumë kam prit shumë kam durue
Bashkë me vllazën me festue...

Vargjet më lart mu kujtuan këto ditë kur të gjithë shqiptarët po përjetojnë evenimentin historik të shpalljes së Kosovës shtet i lirë, sovran dhe i pavarur. Është vetëm një pjesë e këngës që unë dhe mësuesi im në Gjimnaz, kishim përgatitur të këndonim në qytetin e Pejës në vitin 2001. Atëherë gjimnazi i Tropojës “Asim Vokshi” u binjakëzua me gjimnazin e qytetit të Pejës. Në kuadër të kësaj mardhënie të institucionalizuar mes dy shkollave, një grup artistik i gjimnazit të Tropojës ndihmuar edhe nga artistët e ansamblit “Dardania” u planifikua të kryente një vizitë në Gjimnazin e Pejës me ç`rast u vendos të përgatitej një program artistik. Nuk i harroj asnjëherë ato ditë, ishim maturantë, nuk na ndanin shumë ditë nga provimet e Maturës dhe çdo pasdite linim librat dhe shkonim bënim prova për koncertin që do të mbanim në Pejë. U nisëm që në mëngjes dhe gjithçka shkoi mirë deri në kufi. Aty, në pikën kufitare mes kufirit shqiptaro-shqiptar, ndodheshin forcat italiane pjesë e trupës shumëkombëshe që kishte marrë në administrim Kosovën. Pjesa më e madhe nga ne, gjimnazistë nuk ishim të pajisur me pasaporta. Megjithatë në pikën kufitare ditë më parë kishte mbërritur lista e personave që do të kryenin udhëtimin në Pejë e firmosur nga kryetari i Bashkisë dhe drejtuesit e policisë. Mirëpo siç duket mosha jonë e re, i beri të dyshojnë ushtarakët italianë të cilët me disa orë vonesë na lejuan të kalonim. Nuk më largohen nga kujtesa asnjëherë boritë dhe dritat e ndezura të makinave në rrugët e Kosovës që nderonin autokolonën tonë. Kishim gjashtë makina që ecnin njëra pas tjetrës në drejtim të Pejës dhe në secilën prej tyre kishim vendosur nga dy flamuj shqiptar. Arritëm me vonese në Pejë dhe nuk mundëm të jepnim programin artistik që patëm përgatitur. Megjithatë kaluam disa orë të mrekullueshme në shoqërinë e shumë bashkëmoshatarëve tanë kosovarë dhe mësuesve të gjimnazit të Pejës. Nuk e harroj asnjëherë pritjen e një gruaje në Pejë e cila na than se më në fund i erdhi rasti të shprehte falenderim për hapjen e dyrve që Shqipëria bëri pas largimit masiv të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Sapo mësoi se kishim mbërritur nga Shqipëria ajo erdhi pranë kur zbritëm nga makinat dhe na shoi etjen me lëng boronice ndëra na shërbeu fruta nga një arkë e madhe që mbante në duar. Ishte udhëtimi im i parë në Kosovë dhe që atëherë e kam dashur Kosovën. Pjesë e kësaj ndjenje ishte edhe kënga që kisha përgatitur por që nuk munda ta këndoja me çifteli në Pejë për shkak të vonesës në kufi. Kënga më erdhi në mendje këto ditë të lumtura për të githë shqiptarët dhe me shumë dëshirë po e këndoj nga Tirana!

2008-02-17

NGA SOT KOSOVA U SHPALL E LIRE, SOVRANE DHE E MOSVARME...




2008-02-15

PO LIND NJE SHTET I RI...

 
Make a Free Website with Yola.